Vehabizmi, një trashëgimi e harruar e luftës në Bosnjë



Më 28 tetor, 23-vjeçari Mevlid Jashareviq hapi zjarr ndaj Ambasadës Amerikane në Sarajevë, duke plagosur një polic boshnjak para se të ndalej nga forcat e sigurisë. Edhe pse avokati i Jashareviqit pretendon se klineti i tij ka vepruar i vetëm, sulmuesi me armë zjarri është identifikuar si anëtar i një lëvizjeje vehabiste - sektit islamik që buron dhe mbështetet nga Arabia Saudite dhe që predikon armiqësi karshi njerëzve të religjioneve të tjera, përfshirë mylsimanët e tjerë.

Incidenti tërheq vëmendjen për problemin e rritjes së vehabistëve në Bosnjë, ndërsa nënvizon problemin e ekstremizmit mysliman në Ballkan, me të cilin po kërcënohen qeveritë lokale, sikurse edhe interesat ndërkombëtare. Analistët si: Shtefen Shvarc, Esad Hesimoviq, Anes Alliq dhe Vllado Azinoviq, kanë tërhequr, për vite me radhë, vërejtjen për kërcënimin nga vehabistët.

Një varg sulmesh, përfshirë vrasjen e një polici katolik të Kroacisë më 1996, janë ndërlidhur me vehabistët. Disa vehabistë ishin burgosur në vitet 2008 dhe 2009 për planifikimin e sulmeve terroriste mbi monumentet katolike dhe forcat e Bashkimit Evropian në Bosnjë. Në korrik të vitit 2010, një grup i vehabistëve dyshohej të ketë qenë i përfshirë në bombardimin e një stacioni të policisë në Bugonjo, nga i cili u vra një polic, ndërsa u plagosën disa të tjerë.

Me origjinë nga qyteti me shumicë myslimane, Novi Pazari, në rajonin e Sanxhakut në Serbi, Jashareviq së fundmi kishte kaluar kohë në bashkësitë vahabiste në Vjenë dhe Gorna Maoca - vendbanim në një pjesë të Bosnjës, i cili ishte në qendër të kontrolleve të vazhdueshme anti-terroriste. Ai pat qenë i burgosur për plaçkitje të armatosur në Vjenë në vitin 2005, ndërsa ishte arrestuar në vendlindjen e tij më 2010 pas vringëllimit të një thike në prani të ambasadorit amerikan në Serbi.

Lëvizja vehabiste i ka vënë rrënjët e saj te një pjesë e vogël, por e zëshme e popullatës myslimane në Bosnjë. Grupi vlerësohet se përfshin diku 3 mijë njerëz nga 1.4 milion myslimanët. Ata kryesisht jetojnë në fshatra të izoluara, në të cilat vlejnë rregullat strikte myslimane. Burrat mbajnë mjekra dhe pantallona të shkurtra dhe femrat janë të mbuluara - në kundërshtim të dukshëm me shumicën e boshnjakëve që cilësohen të jenë myslimanë të moderuar. Prania e lëvizjes vehabiste në Bosnjë daton në luftën civile në Jugosllavi ndërmjet viteve 1992 dhe 1995, e cila përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Paqe të Dejtonit.

Konflikti ishte i komplikuar për shkak të përfshirjes së tri palëve etnikisht të ndara: serbëve ortodoksë, kroatëve katolikë dhe myslimanëve. Bashkësia kryesisht e pambrojtur e myslimanëve nuk ishte në gjendje t'i përballonte sulmet e militantëve të armatosur mirë të serbëve të Bosnjës. Në këtë situatë të pashpresë u mundësua ndikimi i madh i vehabizmit, si për shembull nga muxhahedinët dhe agjencitë myslimane të ndihmës - përfshirë Fondacionin Ndërkombëtar për Bamirësi, të financuar nga Al-Kaida.

Shumë nga këto mbetën në Bosnjë, ku siguruan mbështetje materiale për bashkësinë e shkatërruar myslimane, por ndikuan gjithashtu ideologjikisht në të përmes vehabizmit. Falë mbështetjes ndërkombëtare, vehabistëve iu mundësua ta ndryshojnë agresivisht rrymën mendore të bashkësisë myslimane në Bosnjë. Dy figura i kanë udhëhequr këto përpjekje: Jusuf Barqiq dhe Mohamad Porka - që të dy hoxhallarë boshnjakë. Vehabistët në Bosnjë kanë pasur sukses për të demonstruar se, ndonëse në numër të vogël, ata paraqesin një kërcënim - veçanërisht për xhihadin e promovuar.

Do të ishte e mençur sikur autoritetet boshnjake dhe bashkësia ndërkombëtare t'i monitorojnë për së afërmi lidhjet ndërmjet vehabistëve në Bosnjë, Sanxhak dhe rrjetet e mëdha ushtarake. Pa i kushtuar një vëmendje të shtuar këtij kërcënimi që po rritet në rajon, sulmi i 28 tetorit padyshim se nuk do të jetë i fundit.



Autor: Zara Shlezinger
(Autorja është hulumtuese në Qendrën për Liritë Fetare të Institutit Hudson.)

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...