Dy përfaqësuesit kryesor të vehabizmit gjatë shekullit XX



Lëvizja vehabiste gjatë të kaluarës ka pasur figura të rëndësishme. Sidomos gjatë shekullit XX i dalluan disa, por dy njerëzit që me jetën dhe veprën e tyre lanë gjurmë më të thella janë: 'Abdulaziz ibn Abdullah ibn Bazi dhe Muhammed Salih El-Uthejmini'.


1. Abdulaziz ibn Abdullah ibn Bazi

Personaliteti më i rëndësishëm i lëvizjes vehabiste në shekullin e XX ishte Abdulaziz ibn Abdullah ibn Bazi. U lind në vitin 1912 në Rijad. Ka kryer detyra të rëndësishme brenda organizatës fetare. Një kohë ishte rektor i Universitetit të Medinës. Kohën më të madhe dhe sidomos kohëve të fundit ishte myfti i Arabisë. Përkundër fraksionizmit brenda lëvizjes, ai mbeti autoritet. Mirëpo, jo çdoherë shkonte puna mirë.

Me rastin e invadimit të Irakut në Kuvajt më 1990 dhe rrezikut për të depërtuar në Arabi, Ibn Bazi u gjet ndërmjet skillës dhe haribdes. Edhe dijetarët edhe princat brenda mbretërisë nuk ishin unanim të lejojnë trupat e huaja brenda mbretërisë. Madje ai deklaroi se në rrethana të veçanta muslimanëve iu lejohet të kërkojnë ndihmë nga jomuslimanët, madje në një fetva tjetër deklaroi se lufta kundër Irakut është xhihad. Nga kjo kohë, një numër pasuesish të vehabizmit u larguan nga ai, madje disa duke e akuzuar si "shërbëtor të tagutit" (liderit jobesimtar). Ndër të rebeluarit ishin Selman El-Avde dhe Sefer El-Havali, të cilët u vendosën në krye të një peticioni drejtuar mbretit në vitin 1982, në të cilin kërkonin verifikimin e raporteve me Amerikën, çrrënjosjen e korrupsionit dhe nepotizmit, etj..

Pas daljes në opinion të këtij peticioni, që për mbretërinë ishte një precedent i paparë dhe skandal, gjendja u ashpërsua. Në këtë gjendje kur duhej marrë anën, Ibn Bazi u vu në anën e mbretit dhe iu kundërvu opozitarëve edhe pse deri atëherë ishte mësues i tyre. Pas një kohe të shkurtër Ibn Bazi e dha për mbretërinë edhe një fetva të diskutueshme, me të cilën lejohej nënshkrimi i marrëveshjes paqësore me Izraelin në Lindjen e Afërme, fetva kjo që e irritoi rëndë Usama ibn Lladenin. Para vdekjes, Ibn Bazi e ashpërsoi kursin ndaj mbretërisë kurse në favor të opozitarëve. [19] Vdiq në vitin 1999, duke lënë një vakum në vendin udhëheqës.


2. Muhammed Salih El-Uthejmini

Vendin e liderit në lëvizjen vehabiste pas vdekjes së Ibn Bazit e zuri Muhammed Salih El-Uthejmini. U lind në vitin 1926. Ai vetëm një kohë të shkurtër e mbajti këtë pozitë meqë vdiq pas dy vjetësh punë. Për shkak të rrethanave të rënduara por edhe të kohës së shkurtër, Uthejmini nuk arriti të bëjë riparimet e duhura në lëvizjen vehabiste. Vdekja e tij me 10 janar 2001 hapi një hendek të ri, kush do ta zë këtë pozitë me rëndësi. Ne vdekjen e tij morën pjesë shumë zyrtarë dhe mbi 500 mijë banorë. [20]


3. Periudha post-Uthejmin

Vdekja e Uthejminit e ndërlikoi edhe më gjendjen e lëvizjes vehabiste. Figurat e larta si Muhammed Ali Shejh, Abdulmuhsin Et-Turki, pastaj Salih ibn Fevzan, Bekr Ebu Zejd e të tjerë nuk gëzonin autoritet të mjaftueshëm për të zënë vendin e liderit. Kjo gjendje bëri që ambiciet karrieriste të lulëzojnë, kështu që kemi në varg emrash që pretendojnë për të parin e lëvizjes. Ky problem është i gjallë edhe në Jordani ndërmjet Nasrudin Albanit, Muhammed Ibrahim Shakra, Alij Halebiut, Muhammed Ebu Ruhajmit, El-Makdesit e të tjerë.

Disa prej tyre përfaqësonin rrymën tolerante, njëfarë bashkëjetese me regjimin, dhe disa të tjerë që përfaqësonin "selefizmin burimor" dhe vendosjen e ligjeve të forta në frymën rigoroze. Ky hendek nuk u mbyll, por u hap edhe më tepër dhe nuk ka gjasa për të përfunduar në të mirë. Këtë e themi duke e marrë parasysh faktin se çdo ditë kemi njerëz të rinj, përfaqësues të rinj, të cilët pretendojnë se janë të vetmit në rrugë të drejtë. [21]



Autor: Nexhat IBRAHIMI



_________________________

Shkëputur nga Artikulli: "Lëvizja tradicionaliste vehabiste apo thirrja e Muhammed ibn Abdulvehhabit".

[19] - Muhamed Jusic, po aty, fq. 22-26.
[20] - Muhamed Jusic, po aty, fq. 27 dhe 30-31.
[21] - Po aty, fq. 28-29.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...