Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare



Shkrimi "Identiteti evropian i shqiptarëve", nga Ismail Kadare, vlerëson Rexhep Qosja me çka pajtohemi edhe ne "është i mbështetur në premisa të gabuara në përpjekje për të dëshmuar, në njërën anë kundërshtitë kulturore midis Evropës e Lindjes muslimane, kurse, në anën tjetër, sipërinë e identitetit evropian ndaj identiteteve të tjera, para së gjithash, ndaj identitetit musliman"!

Kohëve të fundit nuk janë të rralla rastet kur Kadare vlerësohet për ide raciste. Dhe sigurisht se edhe shkrimet e tij ndaj Islamit dhe muslimanëve kanë përmbajtje raciste.

Gjykimet e padrejta të Ismail Kadaresë në adresë të Islamit, për njohësit e veprës së tij, nuk janë edhe gjithaq befasuese. Ato mund të shihen edhe si reflektim dhe interpretim i një raporti acarues politik dhe fetar të kohës së sotme.

Është evidente se ekziston një klimë dyshimi ndërmjet SHBA-së dhe shumë vendeve muslimane, veçanërisht pas pushtimit të Afganistanit dhe të Irakut. Disponimi antiamerikan sa vjen e rritet në shumë vende muslimane. E njëjta gjë është duke ndodhur edhe me disponimin kundërmusliman në vende të ndryshme perëndimore.

Jo rrallë analistët muslimanë fjalët e Bushit pas 11 shtatorit dhe gjithë mobilizimin e tij ndaj disa vendeve muslimane në luftë kundër terrorizmit, i përshkruajnë si një kryqëzatë moderne.

Nuk ishin të rastësishme as karikaturat blasfemuese ndaj Muhammedit a.s.. Kjo madje vlerësohet se ishte bërë për të matur impulsin e botës muslimane.

Çdo ditë mund të lexojmë se si muslimanët dhe xhamitë e tyre në perëndim shkaktojnë dhe ngjallin dyshim si tek qarqet shtetërore njashtu edhe tek popullata civile.

Disa madje profetizojnë epokën e konflikteve dhe luftërave ndërmjet civilizimeve e veçanërisht ndërmjet Krishterizmit dhe Islamit.

Propaganda e shfrenuar dhe e pandershme ndaj Islamit ka arritur apologjenë e saj.

Teologë të shumtë protestantë, katolikë dhe ortodoksë në mënyrë neveritëse dhe shumë të ultë shpifin duke shkruar dhe propaganduar gjithfarë të pavërtetash kundër Islamit. Me qindra e qindra milionë dollarë jepen për një propagandë të tillë antiislame.

Se popët, priftërinjtë dhe pastorët, gënjeshtrat e tyre ndaj Islamit mund t'i vlerësojnë si "shërbim ndaj fesë dhe Zotit" kjo është e kuptueshme.

Por nuk është gjithaq e kuptueshme se përse Kadare merr rolin e një telalli kundër identitetit musliman të shqiptarëve?!

Janë të paktë ata që kanë marrë guximin për t'iu kundërvënë ideve dhe përfytyrimeve shpërfytyruese të Kadaresë ndaj Islamit. Është për çdo lëvdatë veprimi i Rexhep Qoses i cili pa hamendje, është ngritur kundër tij.

Me punën e tij për të hedhur poshtë idetë dhe përfytyrimet e gabuara të Kadaresë zotëri Qosja ka fituar simpatinë e gjithë dashamirësve të së Vërtetës Hyjnore.

Po të krahasonim pozicionimin e Qosjes mbase do të ishte deri diku i ngjashëm me qëndrimin e Ebu Talibit, xhaxhait të Muhammedit a.s..

Ndërkaq, Ismail Kadare me qëndrimet e tij ndaj Islamit na duket se është më afër poetit arab të injorancës Velid bin El Mugire. Velidi kur kishte dëgjuar Kur'anin i magjepsur kishte deklaruar se ai nuk është fjalë njeriu. Por interesi ia kërkonte që megjithatë të pozicionohej dhe të ishte kundër Islamit. Velid bin El Mugire edhe sot e kësaj dite përmendet si një njeri që pati rastin të jetë në anën e së Vërtetës Hyjnore, por që vdiq si një idhujtar injorant dhe kundërshtar i Islamit. Me sa kuptohet edhe Kadare preferon që në të ardhmen, meqë dëshiron të përmbyllë jetën e tij ashtu sikurse edhe Velid bin El Mugire, të përmendet si një kundërshtar injorant ndaj Islamit.

Kurse zotëri Qosja, është pro Islamit sikurse thotë jo sepse e ka emrin musliman Rexhep. Jo, pse shkon në xhami, e as që fal pesë vaktet e ditës! Jo. As nuk shkon në xhami për t'u lutur, dhe as nuk fal asnjë vakt të ditës. E bëni këtë sikurse thotë për hir të perëndive të tij: të Vërtetës dhe të Drejtës. Edhe Ebu Talibi, as nuk kishte shkuar në xhami dhe as që kishte falur ndonjë vakt, madje as që arriti të pranonte Islamin. Megjithatë ai deri në çastet e fundit e mbrojti Muhammedin a.s. Ne do të donim që Rexhep Qosja megjithatë të bënte edhe një hap tutje dhe të ndiqte shembullin e Omerit r.a. i cili jo vetëm që u bë një luftëtar i denjë dhe i përkushtuar i Islamit deri në çastet e fundit të jetës së tij, por edhe vdiq si musliman i devotshëm.



Autor: Mr. Ajni SINANI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...