BIK-u reagon për rrahjen e imamit Zeqir Berisha



Erdhi nga Vlora për t'u bërë Hoxhë në Lupç, cila është historia e imamit që u rrah keq para xhamisë

Xhematit në ditën e premtë në xhaminë e fshatit Lupç i Poshtëm i komunës së Podujevës, nuk mundi t'i prijë imami i saj Zeqir Berisha. Hoxha 60-vjeçar i këtij fshati mbrëmë pas orës 22:00 (21.07.2022) u rrahë gati për vdekje nga tre persona të cilët me herët kishin qenë xhemat i tij. Tre vëllëzërit Murturi e sulmuan para derës së xhamisë, imamin duke i shkaktuar kështu lëndime të rënda.

U kthye nga Vlora e Shqipërisë për të shërbyer si imam në Kosovë. Por, në kryerjen e punës në vendlindje, imami 60-vjeçar Zeqir Berisha hasi në shumë vështirësi. Sfidat e punës për të, ishin aq të mëdha saqë desh i morën edhe jetën.

Hoxhë Zeqiri, kishte 10 vite që i printe xhematit në fshatin Lupç të komunës së Podujevës.

Por, jo të gjithë, siç duket ishin të kënaqur me punën e tij.

Vëllezërit Shkodran, Behar e Atdhe Murturi, kishin pakënaqësi për mënyrën e faljes së hoxhës e xhematit në xhaminë e fshatit Lupç.

Këta të tre, për më shumë se një vit, në mënyra të ndryshme e kishin kërcënuar e pastaj kanosur hoxhën dhe familjen e tij. Për këto raste, hoxhë Zeqiri kishte lajmëruar edhe policinë.

Por, situata ka eskaluar në mbrëmjen e së enjtës. Rreth orës 22:00, hoxhë Zeqiri, u ballafaqua sërish me tre vëllezërit.


Këtë herë, nga ta nuk shpëtoi lehtë

Shkodrani, Behari e Atdheu nisën sulmet fizike ndaj hoxhës para dyerve të xhamisë ku ai ishte imam. Nga sulmet Zeqir Berisha, mori lëndime të rënda trupore.

Ai u gjet nga xhemati në gjendje të rëndë e i shtrirë në tokë. Nga rrahja, hoxhë Zeqiri iu nënshtrua edhe një operacioni.

Për Nacionale, mjekët e Klinikës së Neurokirurgjisë, kanë dhënë detaje për gjendjen e tij shëndetësore.

"Gjendja për momentin është stabile. Është intervenu dje. Flitet për lëndim të kafkës, me element e ngjitëse në pjesën trunore. Operimi ka kalu mirë, është stabil. Por ka edhe natyrë të lëndimeve poliraumatike, në fytyrë të eshtrave. Është me vetëdije, por lëndimet janë të natyrës së rëndë", ka thënë drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, Besnik Elshani.


Çka thonë nga BIK-u e çka familja e hoxhës për këtë rast

Kreu i BIK-ut në Podujevë, Mensur Hoti ka thënë se imami Zeqir Berisha ka lëndime të rënda në fytyrë, gjakderdhje në kokë, qepje dhe fasha në të gjithë trupin.

"Ne si BIK jemi të shqetësuar. Gjendja e imamit nuk është e mirë, aspak e këndshme. Ka dëmtime të mëdha në fytyrë, në kokë, ka edhe gjakderdhej të brendshme në kokë, kishte edhe qepje, sytë e mbylltë me zavoja", ka thënë Hoti.

Imami duket se me rekomandimin e mjekut, nuk ka qenë në gjendje të komunikojë me kolegët e tij të Bashkësisë Islame. "Me vetëdije është, por nuk po mundet me folë. Ashtu na tha edhe mjeku. Familjarët nuk dinë shumë për rastin", u shpreh më tutje Hoti.

"Rasti ka ndodhur pas namazit të jacisë", u shpreh ai.

Në anën tjetër, familjarët në kushte anonimiteti kanë thënë për gazetën, se gjatë muajit të Ramazanit, ata ishin kërcënuar nga po të njëtit persona.

Për rrahjen e imamit janë arrestuar tre vëllezër: Shkodran, Behar dhe Atdhe Murturi.

Shkodran Murturi, mësohet se është edhe mësues në shkollën Nazim Gafurri në Prishtinë. Përderisa njëri nga vëllezërit, është student në Arabinë Saudite.


Si nisën problemet e imamit të Podujevës me tre vëllëzërit?

Nata e kaluar ishte e rëndë për imamin e fshatit Lupq në Podujevë. Zeqir Berisha u sulmua me mjete të forta deri në alivanosje. Ai u gjet në gjendje të rëndë pikërisht në xhaminë e fshatit.

Për sulmin ndaj imamit të Lupqit janë arrestuar tre vëllezër: Behar, Shkodran dhe Atdhe Murturi.

Megjithatë, gazeta ka mësuar nga burimet e veta se problemet e tre vëllezërve me imamin Berisha, kanë nisur kohë më parë.

Një burim i informuar me këto zhvillime ka thënë për gazetën, se imami Berisha këto kërcënime i kishte raportuar në Polici.

"Imami para disa kohëve ka pasur probleme me këta persona, me tre vellezerit. Madje për kërcënimet rastin e ka raportuar disa herë në Polici", ka thënë ky burim.

Problemet kishin nisur në lidhje me mënyrën e faljes.

"Sipas fjalëve të imamit, të tre vëllezërit kanë ideologji vehabiste, me ta ka pasur probleme vazhdimisht. Sidomos për mënyrën e të falurit", tha ky burim.


Problemet nisën në kohën e pandemisë

"Problemet kanë nisur gjatë kohës së pandemisë, kur shteti kufizoi namazin në xhami. Tre vëllezërit nuk i respektonin masat e qeverisë", ka mësuar më tutje gazeta.

Burimet kanë thënë se nga këta tre vëllezër, njëri studion në Arabi, e dy të tjerët jetojnë në Kosovë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për këtë rast, janë arrestuar tre persona të dyshuar. Imami është gjetur në gjendje të rëndë.

"Mbrëmë rreth orës 22:00 (21.07.2022), policia ka marrë informacionin se në fshatin Lupç i poshtëm të Podujevës, është gjetë një person i lënduar rëndë. Personi i lënduar Z.B. mashkull, është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore të Podujevës menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e verimeve operativo-hetimore dhe kanë arritë të arrestojnë tre persona të dyshuar", ka thënë Ahmeti.

"Personat e arrestuar: B.M, mashkull 27 vjeç A.M, mashkull 28 vjeç dhe Sh.M mashkull 25 vjeç. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes, ndaj tyre është iniciuar rasti vrasje në tentativë", ka shtuar më tej Ahmeti.


Bashkësia Islame dënon rastin

Pas sulmit të rëndë ndaj imamit të Lupqit Zeqir Berisha, ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.

Në një komunikatë për media, BIK-u ka dënuar këtë sulm të rëndë që ka ndodhur në hapësirat e xhamisë.

"Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës. Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar", thuhet në komunikatë.

Më tutje, BIK-u iu ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga ky sulm, dhe drejtësia ta thotë fjalën e saj.

"Imami është autoriteti më i lartë fetarë në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës. Mbështesim dhe i qëndrojmë afër imamit të respektuar, e nga xhemati kërkojmë që të distancohen nga autorët e sulmit, ndërsa nga organet e drejtësisë kërkojmë që të japin vendimet e duhura, sepse është sulmuar imami - autoriteti zyrtar fetar në vendin e tij të punës, si dhe është atakuar hapësira e xhamisë, e cila është e dedikuar për lutje e ibadete", thuhet në komunikatë.



Përgatiti dhe përshtati: kosovaime

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...