Mbulesa obligim fetar e jo simbol fetar ...!



1). Edhe fëmija n'djep e di se një e drejtë themelore njerëzore, siç është manifestimi i fesë, e garantuar me të gjitha konventat e OKB-së dhe ato evropiane, nuk mund të kufizohet me një udhëzim administrativ që varet direkt nga vullneti i një personi / ministri.

Këtë logjikë vetë bota demokratike e ka luftuar, sepse diktaturat kanë lindur atëherë kur një njeri i vetëm ka vendosur për të drejtat themelore njerëzore.


2). Personalisht dua t'i përgëzoj të gjithë ata qytetarë që e aktualizuan kërkesën për anulimin e Udhëzimit Administrativ nr. 06/2014, neni 3 pika 1.13, që e ndalon mbulesën (shaminë) në shkollë.

Me shumë pedantëri i ofruan argumentet, për dallim nga kundërshtarët e mbulesës që gjatë gjithë kohës kanë shfaqur vetëm paragjykime, mllef e ofendime.


3). Mbulesa e kokës nga femra ka mbështetje autentike në Kur'an, në mënyrë të padiskutueshme, siç ka mbështetje edhe mbulimi i pjesëve të turpshme (avreti) nga mashkulli. Si e tillë, ajo është obligim fetar e jo simbol fetar. Aq sa kemi të drejtë t'i quajmë pantallonat e meshkujve simbol fetar, po aq kemi të drejtë ta quajmë shaminë simbol!

Në këtë kuptim, ndalimi i mbulesës në shkollë apo në vende të tjera publike, është direkt kufizim i të drejtës për manifestimin e fesë, si një e drejtë e garantuar.


4). Po, Ministria e Arsimit mund të diskutojë me Bashkësinë Islame për 'modelin e mbulesës', por jo për qenësinë e saj. Personalisht, mendoj se jo çdo model i mbulesës shkon për natyrën e institucioneve, ajo nuk duhet të shfaqet si barrë për punë efikase. Ndoshta këtu është edhe thelbi i polarizimeve të thella e keqkuptimeve të mëdha.

Disi, në sytë e kundërshtarëve, sa herë përmendet shamia, atyre u përfytyrohet 'burka e zezë' që u asocion një imazh trishtues me ideologji terroriste, etj.. Fatkeqësisht në këtë keqkuptim kanë rrëshqitur edhe disa namaztarë.


5). Por, e vërteta është krejt tjetër. Shaminë duhet përfytyruar si një hijeshi e krenari për femrën, që e zbukuron dhe e lartëson dinjitetin e saj, si një vlerë kulturore e identitetit tonë fetar e kombëtar, si një tipar që përfaqëson ashiqare anën e kundërt të veseve negative, e mbi të gjitha duhet parë si një veti e familjes së shëndoshë ...!



Autor: Dr. Orhan BISLIMAJ

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...