Logjika antimbulesë mbetje komuniste ...!



Pas mbarimit të luftës së dytë botërore në vitin 1945, në Kosovë pushtetin e morën partizanët jugosllavë komunistë (shqiptarë e serbë).

Ata, përcaktuan së paku dy objektiva, njëri politikë e tjetri kulturor / identitar.

Projekti politik ishte kundër ballistave shqiptarë deri në zhdukjen e tyre dhe relativisht ia arritën qëllimit, kurse projekti kulturor ishte luftimi i fesë dhe kulturës fetare.

Në kuadër të kësaj fushate, jugosllavët, më datë 17 mars të vitit 1947, në ora 12 të ditës, e mbyllin Medresenë e Gazi Mehmet Pashës në Prizren, aty ku u mbajt Lidhja e Prizrenit në vitin 1878, si një projekt kundër shqiptarëve / Islamit.

Sot, Jusuf Buxhovi, Halil Matoshi dhe plotë të tjerë, e përdorin të njëjtën parullë kundër shamisë, që ishte proklamuar në 'Rilindje', më 30 gusht 1947, se 'lufta kundra çarshafit duhet të vazhdojë deri sa të zbulohet edhe femra e fundit'.

'Mos e pyvet se kallxon vetë', thotë populli.

Në fakt, lufta kundër shamisë (Islamit) ishte në kuadër të projektit jugosllavë për tjetërsimin dhe sllavizimin gradual të shqiptarëve, si një ndërlidhje me projektin mesjetar të shekullit XIV, që ua kishte bllokuar krejt në finale, Perandoria Osmane.

Ata, nuk e kishin gajle asnjëher emancipimin tonë, siç po mashtrohen tani neokomunistët.

E kam thënë dhe njëherë tjetër. Brezi që e ka mbërri komunizmin, që janë mbi 60-70 vjet, ata kanë mbetje të hatashme komuniste në vetëdijen e tyre dhe sjelljen e tyre, sidomos ata që kanë qenë pjesë aktive e sistemit qeverisës. Edhe brezi pas tyre ka, por më pak. Edhe brezi tjetër ka, por akoma ma pak, edhe brezi i ri ka, por fare më pak e kështu deri në pastrim të plotë. Edhe unë kam, veçse i kam mposhtur këto vese egoiste, moniste, e dezintegruese.

Sepse, kultura shtresohet ngadalë, po edhe largohet akoma më ngadalë. Sot, fëmijtë e botës perëndimore ndihen të lirë, pa komplekse ndaj shtetit apo shoqërisë, sepse nuk kanë logjikë komuniste, për dallim prej shqiptarëve, që edhe kur votojnë, votojnë sipas bindjeve të tjetrit.

Përjashtim nga kjo tutelë, bëjnë ata që i kanë rënë 'delete' asaj periudhe, duke u distancuar në mënyrë të vetëdijshme dhe duke ndjerë pendesë, siç kam takuar shumë të tillë.

Prandaj, logjika antimbulesë është mbetje komuniste, përshtypje personale, e aspak demokratike e as ligjore ...!



Autor: Dr. Orhan BISLIMAJ

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...