Vlera e muajit Rexheb dhe vlera e natës së Regaibit



Falënderimi qoftë për Allahun e Plotfuqishëm, i Cili na ka dhënë dhe na jep begati të panumërta. Salavatet, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të dashurin e Allahut dhe të dërguarin e Tij të fundit Muhamedin a.s. mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar me të vërtetën në zemrat e tyre.

Vëllezër besimtarë, në hutben e sotme do të flasim në temën: 'Vlera e muajit Rexheb dhe vlera e natës së Regaibit'.

Muaji rexheb është njëri nga muajt e shenjtë, andaj muslimani duhet ta ketë në llogari aktivitetin e tij. Në këtë muaj, në muajin vijues shaban dhe pastaj në ramazan, vlera e ibadeteve dhe punëve të mira është më e madhe, por nuk duhet harruar se edhe llogaria për punët e këqija është më e madhe.

Muaji rexheb dhe shaban llogariten edhe si muaj përgatitorë për muajin e bekuar të ramazanit. Muslimani fillon ta adaptojë veten me shtimin e veprave të mira dhe me largim nga veprat e këqija, dhe kur të vjen ramazani, ai është i përgatitur dhe mundet ta shfrytëzojë maksimumin e tij.

Muhamedi a.s. në një hadith ka thënë: "O Allah, na beko në rexheb dhe shaban, dhe na mundëso ta presim muajin ramazan"!

Këta tre muaj dallohen edhe me net të rëndësishme (sipas shumicës së dijetarëve) që ndodhen dy në muajin rexheb (nata e Regaibit dhe Israja e Miraxhi), pastaj një në muajin shaban (nata e 15 e tij e njohur si nata e Beratit) dhe në ramazan nata e Kadrit.

Në fillimin e muajit rexheb, pikërisht në natën e xhumasë së parë të tij bie nata e Regaibit, e cila për nga vlera thuhet se është lajmëtari i parë i muajit ramazan.

Për vlerën dhe rëndësinë e kësaj nate, dijetarët muslimanë kanë dhënë vlerësime të ndryshme.

Sido që të jetë, në këtë natë (dhe netët vijuese të këtyre dy muajve – rexheb dhe shaban), preferohet të shtohet ibadeti, namazi nafile i natës, sadaka të ndryshme, lutje të shumta, pendimi, agjërimi vullnetar, leximi i Kuranit etj. Është mirë të bëhet ibadet sipas mundësisë pa e ngarkuar veten. Nuk preferohet të agjërohen këta muaj të plotë, përveç nëse dikush e ka bërë shprehi çdo vit dhe nuk e dëmton shëndetin e tij.

Muhamedi a.s. nuk i ka agjëruar asnjëherë të plotë.

Muaji shaban tregohet se ishte muaji që Muhamedi a.s. e kishte agjëruar më së shumti pas ramazanit.

A lejohet që të përkujtohet kjo natë dhe netët e tjera: Lejohet plotësisht që të përkujtohen dhe nuk ka asnjë ndalesë. Kurse idetë që qarkullojnë nëpër rrjetet sociale për ndalimin e përkujtimit të tyre janë mendime të izoluara, shkurtpamëse dhe mendime të pakicës absolute të dijetarëve muslimanë, kurse shumica absolute e arsyetojnë dhe e lejojnë.

Natyrisht se këto net ose ditë, përkujtohen me ibadet, me namaz nafile, me lexim të Kuranit, me përmendje të Zotit, me lutje për nevoja të kësaj bote dhe të botës tjetër, me sadaka të ndryshme, etj..

Nuk ndalohet edhe që të përgatitet ushqim ose ëmbëlsirë për familjen, sepse edhe kjo llogaritet sadakë për anëtarët e familjes, (Këto i lejon Qendra për fetva e Egjiptit numër 2508.).


Disa këshilla të Pejgamberit s.a.v.s.

Mos iu frikëso nafakës! Shumica i frikësohen nafakës, ndërsa çdo kush do ta hajë atë që ja ka caktuar Allahu qysh më parë. Të varfrit, sipas sasisë hanë më shumë se të pasurit. Këta të pasurit kanë sëmundje të ndryshme si tensioni, yndyra, diabeti, sepse mërziten shumë për shkak se janë të pangopur, mirëpo nuk mund të hanë, ata frikësohen për shëndetin e tyre. Të varfrit nuk kanë se çka të fitojnë e as çka të humbin, dhe nuk kanë arsyeje për mërzi. Përndryshe të varfrit do të hyjnë më shpejt në xhenet për shkak të llogarive të vogla.


Mos ndërtoni aty ku nuk jetoni

Njerëzit ndërtojnë vila, ndërsa jetojnë në mutfak. Gjithë jetën ndërtojnë diçka, mirëpo vdesin në spitale, ndërsa gjithçka u ngel sidomos këta nga diaspora. Një gjë është e sigurtë, sa më shumë dynjallëk aq më pak rahatllëk. Ndonjëherë shumë më të lumtur kemi qenë, kur jetonim në shtëpi më të vogla pa mobile dhe orendi të shumta, se sa tani kur s'kemi vend për të fal namazin nga mobilet dhe orenditë e shumta.

Sa më e thjeshtë dhe natyrale të jetë jeta është aq më kuptimplote. Për këtë arsye Pejgamberi savs jetonte sa më thjeshtë. Thonë: "Mund të blesh shtëpinë por jo edhe rehatinë, mund të blesh krevatin por jo edhe gjumin".


Mos u zini për atë që do ta braktisni

Shumë vështirë është të dëgjosh se dikush është zënë për atë se kush do të jap më shumë për xhaminë dhe shoqërinë. Në përgjithësi njerëzit zihen për trashëgiminë dhe pasurinë, ndërsa të gjitha këto do t'i lënë pas. Nëse do të fillonim të numëronim se çka është e jona, do të pyesnim se çka është e Zotit atëherë. Mirëpo, përsëri e shohim se asgjë nuk është e jona, as edhe trupi të cilin e adhurojmë ndërsa ai do të bëhet pluhur.


Drejtoni qëllimet tuaja drejt Xhenetit

Përfundimisht xheneti është stacioni i fundit i yni ku do të jemi përgjithmonë, andaj të hyjmë në trenin (xhaminë) i cili na çon në destinacionin e përjetshëm. Nëse hyjmë në trenin e gabuar të gjitha stacionet do t'i kemi të gabuara. Xhamitë janë orientimi ynë ndërsa kibla është drejtimi ynë, Allahu është Zoti ynë, Muhamedi a.s është pejgamberi ynë, Kurani është libri ynë, selami është përshëndetja jonë. Edhe krahas gjithë kësaj si është e mundur të hyjmë në trenin e gabuar i cili na çon drejt zjarrit.

O Zoti ynë, na ruaj nga të gjithë trenat që na çojnë në xhehenem.

O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t'i përballojmë!

O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e përcjellën dritën e Islamit! Kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!

Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin.



Përgatiti: Miftar AJDINI



Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...