Mes'hi mbi çorap



Në veprën "Ilmulhal" nga autor Llukman Neziri botuar vitin 2021, vepër kjo pa fusnota, pa literaturë konsultuese, pa recensent, pa lektor, pa isbn, pa katalogizim, pa metodologji dhe kritere shkencore, në faqen 94 autori thotë: "Ashtu siç lejohet të dhënurit mes'h mesteve, gjithashtu lejohet të dhënurit mes'h çorapeve"!!!

Mugire ibn Shu'be thotë: "Muhamedi salallahu alejhi ve seleme mori abdes dhe u ra mes'h çorapeve", përfundon citati.

Në vazhdim po paraqesim mendimet e dijetarëv islam rreth kësaj çështjeje.

Duke u nisur nga parimet dhe kriteret bazike shkencore për përfitimin e dispozitave juridike, dijetarët islam kanë konstatuar se, ky hadith nuk mund të përdoret si argument për mes'hin mbi çorape, vetëm me lexim të përciptë dhe sipërfaqësor, sepse, një gjë e tillë, llogaritet lëshim shkencor dhe joseriozitet në lidhje me dispozitat e jurisprudencës Islame. Prandaj, ditarët e katër shkollave juridike (medhhebeve) që përfaqësojnë Ehli Sunetin, këtë hadith nuk e kanë pranuar si argument, mbi të cilin mund të bazojnë lejimin e pakushtëzuar të mes'hit mbi çorape.

Këtë konstatim të tyre e përforcon edhe vetë fakti, se larja e këmbëve gjatë avdesit është dispozita esenciale, kurse mes'hi mbi meste është dispozitë zëvendësuese ose lehtësuese, por që dispozita e mes'hit mbi meste, është vërtetuar me shumë argumente të fuqishme, saqë kanë arritur nivelin e plotëbesueshmërisë (tevaturit), kurse, ky hadith për dhënien mes'h çorapëve nuk ka arritur këtë nivel të argumentushmërisë është hadith Ahad, është i përfolur dhe diskutabil nga dijetarët eminent islam.

Megjithatë, dijetarët islam edhe krahas nivelit argumentues të këtij hadithi, ata nuk e kanë anashkaluar, as nuk e kanë hedhur në kosh, por në bazë të studimeve rrethanore, analizave dhe kritereve shkencore, përdorimin e këtij hadithi, respektivisht, për lejimin e mes'hit mbi çorape kanë kushtëzuat disa kushte, që janë:


Dijetarët e medhhebit Hanefij

- Sipas dijetarëve të medhhebit hanefij, nëse çorapët janë të kombinuara (lloji i parë i çorapëve) me lëkurë në anën e poshtme dhe të epërme, ose vetëm në anën e poshtme dhe, me ndonjë material të trash dhe të dendur anash, që pengojnë depërtimin e ujit dhe me to mund të ecë, mbi çorapet e tilla lejohet mes'hi sipas të gjithë dijetarëve të medhhebit hanefij.

- Nëse, çorapët, nuk janë nga lëkura, e as të kombinuara me lëkurë dhe material tjetër, por janë me ndonjë material tjetër, që janë të trashë e të dendur, (lloji i dytë i çorapëve) saqë nuk mund të depërtojë uji në to dhe mund të ecet me to, në këtë rast, te dijetarët e medhhebit hanefij kemi dy mendime, që janë:

1. Sipas mendimit të Imam Ebu Hanifes nuk lejohet mes'hi mbi këtë lloj të çorapëve. Imam Ebu Hanife, qëndrimin e tij e mbështet në faktin se, mes'hi mbi meste është vërtetuar me argument tekstual (madje me argument mutevatir), prandaj, çdo gjë që është sikur lëkura, ajo merr dispozitën e mesteve, e nëse nuk është si lëkura, atëherë nuk llogaritet me dispozitën e mesteve. Prandaj, mbathjet që nuk janë nga lëkura apo të kombinuara me lëkurë dhe material tjetër të trashë e të dendur nga çorapet, nuk marrin dispozitën e mesteve.

2. Sipas mendimit të Imam Ebu Jusufit dhe Imam Muhamedit (dy nxënësit e Ebu Hanifes) lejohet mes'hi mbi këtë lloj të çorapëve. Imam Ebu Jusufi dhe Imam Muhamedi mendimin e tyre e mbështesin në hadithin e Mugire ibn Shu'be-s. Mirëpo, meqë në literaturën e medhhebit hanefij transmetohet se, Imam Ebu Hanife në fund të jetës së tij është tërhequr nga mendimi i tij në lidhje me këtë çështje dhe ka pranuar mes'hin mbi këtë lloj të çorapeve, atëherë konstatojmë se lejohet dhënia mes'h mbi këtë lloj të çorapëve.


Dijetarët e medhhebit Shafij

Sipas mendimit të dijetarëve të Medhhebit shafij dhe këtë qëndrim përafërsisht e kanë edhe medhhebi Maliki dhe Hanbeli, mes'hi mbi çorape nuk lejohet përveç nëse ato i plotësojnë këto kushte:

- Çorapet të jenë përpunuara nga lëkura (në anën e poshtme dhe të epërme, apo vetëm në anën e poshtme) dhe ndonjë material tjetër i trash dhe i dendur.

- Të jenë nga ndonjë material i trashë dhe i dendur, në të cilët nuk depërton uji.

- Të jetë e mundur ecja me ato.



Autor: Jusuf ZIMERI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...