Studentët kosovarë në Arabi Saudite, pre e ideologjisë vehabiste-selefiste



Profesori në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, Xhabir Hamiti thotë se në Kosovë edhe me tej është duke u instaluar mentaliteti vehabist-selefist.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hamiti ka thënë se edhe studentët kosovarë që studiojnë në Arabi Saudite po bien pre e këtyre ideologjive.

Sipas tij, në Arabi Saudite aktualisht janë mbi 80-të studentë nga Kosova, të cilët e kanë zgjedhur këtë vend për shkak të bursave dhe akomodimit të cilin ky shtet ua ofron.

"Është shumë e vërtetë, se nga gjithë këta studentë që në mënyrë masive po ia mësyjnë këtij vendi, ka prej tyre të cilët i shpëtojnë ndikimit të formës interpretuese të fesë islame sipas versionit lokal të pedagogëve sauditë, mirëpo nga përvoja e deritanishme tregon se shumica e tyre kanë rënë dhe vazhdimisht po bien nën ndikimin e ideologjisë së ngurtë vehabiste-selefiste, të cilët edhe pas kthimit të tyre në vend vazhdojnë të besojnë se ajo është formë e vetme e pranuar dhe e saktë e Islamit", shkruan Hamiti.

Hamiti, me tej thotë se problemi kryesor i studentëve të kthyer nga Arabia Saudite është se nuk arrijnë që ta bëjnë dallimin e Islamit nga kultura, zakonet dhe traditat e mishëruara me interpretime lokale të fesë islame.

Po ashtu tjetër faktor sipas Hamitit është fakti se një numër i madh i studentëve mendon se pikërisht atje është vendi i saktë ku duhet të studiohet Islami për shkak të shtrirjes së dy vendeve të shenjta, Mekës dhe Medinës.



Përgatiti: periskopi

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...