Kurani, Islami dhe Orientalistët



Kur'ani dhe Islami

Kur'an-i është Fjala e All-llahut që i është shpallur, zbuluar, frymëzuar, Muhammedit (a.s.), nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, Ruhul Kudus. Kjo shpallje ka filluar në një muaj të bekuar. Ky muaj'i bekuar, i madhëruar, i shenjtëruar, është muaji i Ramazanit.

Muaji i Ramazanit është muaj'i agjërimit, është muaj'i shpërblimit. Ramazani është muaj'i zbulesës, i qëndresës, i shpresës. Është muaj'i mirësive, i begative i fshehtësive. Ramazani është muaji'i barazisë, i afërsisë, i pjekurisë, i gjallërisë. Është muaj'i vështirësive, i lehtësive, i befasive. Ramazani është muaj'i vlerave superiore, muaj' që sjellë fitore, muaj'i Mëshirës Hyjnore, muaji kur bleron pranvera shpirtërore, muaji'i Zbulesës Hyjnore ...

Zbulesa Hyjnore-Kur'ani i Madhëruar është Libri i Librave, Libër i Shenjtëruar, është Libri më i lexuari, më i kërkuari, më i nderuari.

Kur'an-i është Libër përkujtues, shqarues, udhëzues, dallues, shërues, bekues, është Libër mëshirues. Kur'an-i është Libër plotë dituri, është Libër plotë urtësi. Dituria dhe urtësia e Tij s'ka të sosur, sepse Kur'ani është Libër i përsosur.

Kur'an-i është Dritë nga Drita e cila është përmbi çdo Dritë ... Ramazani është hapi i parë për sigurimin e nevojave shpirtërore, ndërsa Kur'an-i është kushtetuta më thelbësore për t'u informuar në mënyrë adekuate, për të jetuar në mënyrë efikase, deri në fitore ...

Kur e pyetën Albert Ajnshtajnin (1879-1955), shkenctarin më të madh të shekullit të kaluar, se cili është kuptimi i jetës njerëzore? Ai tha: "Përgjigjja e kësaj pyetje kërkon një fe ...".

Falënderojmë Allahun, që njerëzimit i shpalli një fe, që bazohet në Kur'an, e cila quhet Islam, që do të thotë Paqë, Harmoni, të cilën e kemi pranuar me dashuri. Islami që nga njeriu e pejgamberi i parë, hz.Ademi (a.s.) është fe, besim, që në vazhdimësi, është shpallë. Është shpallë në formën e plotësuar, për gjithë njerëzimin, u përhapë në çdo anë, duke filluar nga Muhammedi alejhi selam. Këtë të vërtetë ndër shekuj besimtarët e kanë dëshmuar, por disa orientalistë, mjerisht, ende s'e kanë kuptuar ...!

Orientalizmi dhe orientalistët

"Nëse dëshironi ta fyeni, ta poshtëroni, ta turpëroni dikë, atëherë, thirreni atë "oriental" - "orientalist" - Eduard Said, (1935-2003)".


Ç'është Orientalizmi?

Fjala apo termi Orientalizëm rrjedh nga fjala latine Oriens, që ka kuptimin: lindja e Diellit ose shkurt Lindje. Prej fjalës Oriens (Lindje) u formue fjala Orient, prej së cilës u formue termi Orientalizëm, Orientalist. Ky term i formuar në Perëndim, nga njerëz të mençur, kinse për t'i njohur popujt e Lindjes, në të vërtetë për t'i sunduar, për t'i shfrytëzuar, për t'i tjetërsuar ...

Orientalizmi është njohuria që merret me studimin e shoqërive dhe kulturave të Lindjes, Lindjes së Afërme dhe të Largët. Gjithashtu, mund të paraqitet edhe si përshkrim i aspekteve të ndryshme të kulturës së Lindjes nga dijetarë të Perëndimit, qofshin ata shkrimtarë, piktorë, dizajnerë, etj.. Pra, çdo njeri që mëson, studion, shkruan, hulumton rreth Orientit, qoftë ai antropolog, sociolog, historian apo filolog quhet orientalist. Orientalistët e Perëndimit, qofshin ata të hebrenj, krishterë ose laikë, gjatë kohës së kolonializmit të shteteve europiane, shekujve tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë, kurrë nuk e njohën të vërtetën Islame.

Një nga simtomet e kësaj injorance është fakti se All-llahu për ta është një hyjni tek myslimanët, jo Krijues, Zot, të Cilin e besojnë hebrenjtë dhe të krishterët!

Orientalistët perëndimor, befasohen, shqetësohen, kur dëgjojnë se All-llah do të thotë Zot, Perëndi. Arabët e besimit të Krishter nuk njohin ndonjë emër tjetër, përveçse All-llah. As këtë nuk duan ta kuptojnë, ta pranojnë!


Misionarizmi dhe kolonializmi

Orientalizmi është njëri nga këndet e një trekëndëshi të fshehtë kundër Islamit, dy këndet e tjera janë misionarizmi dhe kolonializmi. Në të vërtetë, orientalizmi është më i rrezikshmi sepse synimet dhe objektivat e tij shkojnë më larg në mendjet e mendimtarëve dhe intelektualëve; efekti i tij është më serioz në vrapimin e gjatë. Vëllimi i dëmit dhe i bezdisjes së tij ndaj Islamit është më i madh se sa ato të misionarizmit dhe kolonializmit, të vjetra ose të reja, ashtu siç orientalizmi dëshiron ta dëmtojë imazhin e vërtetë të Islamit në mendjet e njerëzve.

Ndryshimi kryesor mes orientalizmit dhe misionarizmit është se misionarizmi përqëndrohet në njerëz të përgjithshëm, ndërsa orientalizmi ka si objektiv intelektualët. Përndryshe, që të dyja janë të njëjta në synimet dhe objektivat e tyre. Pa dyshim, që të dyja veprojnë për dominimin e Perëndimit mbi Lindjen në përgjithësi, dhe mbi Botën Islame në veçanti, për dominimin social, kulturor, ekonomik, politik, moral dhe fetar të Perëndimit. Orientalistët paralajmëruan fillimin e kolonializmit. Së pari, përmes studimeve dhe kërkimeve të tyre në vendet e Lindjes, ata formuluan idenë e pushtimit në mendjet e udhëheqësve perëndimorë.


Synimet e Orientalizmit

1. Motivi religjioz

Ndër synimet kryesore të orientalizmit janë:

Njollosja e autenticitetin e Kur'anit Fisnik, për t'i larguar muslimanët nga Kur'ani ...

Mbjellja e dyshimeve rreth vërtetësisë së jetës, veprave të Muhammedit (a.s.), Familjes së Tij, Ehli Bejtit, shokëve të tij dhe gjithë atyre që ndjekin gjurmat e tyre.

Përpjekje për ta zbehur rëndësinë e Sheri'atit Islam. Janë munduar t'i bindin muslimanët se kinse Sheriati Islam është huazuar nga e drejta romake, siç janë huazuar edhe mësimet islame nga mësimet me prejardhje kristiane e hebreje ...

2. Motivi ekonomik

Përveç synimeve fetare, ishte motivi ekonomik, për t'i pushtuar tregjet, për t'i pushtuar e shfrytëzuar burimet natyrore e njerëzore ...

3. Motivi politik

Pas synimeve fetare, ekonomike ishte motivi politik, i cili kishte, ndër të tjera, këto këto qëllime: Muslimanët të tjetërsohen, të zbehet besimi i tyre, të devijohen, të dobësohen, varfërohen ekonomikisht, mentalisht, shpirtërisht ...

4. Motivi shkencor

Numri më i madh i orientalistëve gjatë shekujve i kanë shërbye kolonialistëve, misionarëve dhe cionistëve, kurse për hirë të së vërtetes, një numër i vogël orientalistës ka punuar, studiuar, hulumtuar për të mirën njerëzore, me motive shkencore.

Këta orientalistë, që kanë motive shkencore, edhe pse janë ende pak në numër, por janë me vlera të mirëfillta, janë shembuj, janë ura që lidhin fe, qytetërime dhe kultura ...

Këtu vlen të shënohen disa emrat dhe i përmendim me nderim: Rozhe Garodi, Mauricie Bucaille, Murad Hofmann, Annimarie Schimmel, Franc Fanon, Friçof Shuon, Rene Genon, Martin Lings, William Chittick, etj..


Orientalizmi shqiptar

Për orientalizmin shqiptar kemi shkruar në të kaluarën, por këtu mjafton të përmendim me nderim përpjekjet e studiuesit Enis Sulstarova, i cili në librin "Arratisje nga Lindja - Orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadareja", "Dudaj", Tiranë, 2006, ku ndër të tjera shkruan se intelektualët shqiptarë që nga Rilindja Kombëtare e deri në ditët tona e kanë konceptuar subjektin e kombit modern shqiptar si një popull europian që duhet të "arratiset" nga primitivizmi, barbarizmi, prapambetja lindore e trashëguar nga periudha osmane.

Orientalizmi shqiptar ka qenë pjesë përbërëse e përfytyrimit të elitave politike dhe kulturore shqiptare dhe janë përshtatur me sistemet politike dhe marrëdhëniet shoqërore të periudhave të njëpasnjëshme gjatë shek. XX: autoritarizmi i viteve 1920-1930, komunizmi i viteve 1945-1990 dhe tranzicioni demokratik i viteve 1990-2000 ...

Analiza e orientalizmit bashkëkohor shqiptar nuk merr si objekt të vetin veprat e autorëve nacionalistë, por këtu Sulstarova shënon veprat e autorëve dhe shkrimtarëve kryesorë, popullorë që zakonisht quhen "proevropianë". Sulstarova tregon bindshëm se orientalizmi - e ndonjëherë edhe racizmi dhe islamofobia e hapur- ka strukturuar thellësisht mendimin e këtyre autorëve, duke bërë atë që ai e ka emërtuar me vend "orientalizmi shqiptar", të jetë shumë më tepër se sa një çështje e një mënyre mendimi që i ka kaluar koha ...


Dy - tri fjalë të fundit

Dhe më në fund i lutemi Allahut (xh.sh.) që të na mbrojë nga kurthet e orientalistëve jo objektiv, kurse të udhëzojë, të ndriçojë mendjen dhe zemrën e besimtarëve dhe thërrasim të gjithë njerëzit për vullnet të mirë, pastërti drejtësi në qasje ndaj Dritës ...

Kurse të tjerët që përpiqen për të shuar këtë Dritë, le të përpiqen, por iu përkujtojmë Fjalën e Allahut në Kur'an, i Cili urdhëron e thotë: "Ata përpiqen me gojët e tyre ta shuajnë dritën e All-llahut, e All-llahu nuk do tjetër, pos ta përsosë dritën e Tij ...", (Kur'an, 9:32).



Autor: Mexhid YVEJSI



Burimet kryesore:

1. Nochlin, Linda, The Imaginary Orient, 1983, page numbers from reprint in The nineteenth-century visual culture reader, a reaction to Rosenthal's exhibition and book.
2. Said, Edward W., Orientalism, New York: Pantheon Books, 1978.
3. Little, Douglas. American Orientalism: The United States and the Middle East Since 1945, 2nd ed. 2002.).
4. Peltre, Christine. Orientalism in Art. New York.
5. Benjamin, Roger Orientalist Aesthetics, Art, Colonialism and French North Africa: 1880-1930, U. of California Press, 2003.
6. Halliday, Fred. "'Orientalism' and Its Critics", British Journal of Middle Eastern Studies, Vol. 20, No. 2. (1993).
7. Irwin, Robert. For lust of knowing: The Orientalists and their enemies. London: Penguin/Allen Lane, 2006.
8. Kabbani, Rana. Imperial Fictions: Europe's Myths of Orient. London: Pandora Press, 1994.
9. MacKenzie, John. Orientalism: History, theory and the arts. Manchester: Manchester University Press, 1995.
10. Noble dreams, wicked pleasures: Orientalism in America, 1870-1930 by Holly Edwards (Editor). Princeton: Princeton University Press, 2000.



Shënim:

Përgatiti: (Takvimi 1434-1435, Kalendari 2013), faqe: 333-340.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...