Sfidat e sotme të Islamit në Shqipëri



Një ndër pyetjet më serioze që çdo musliman duhet ti bëjë sot vetes kur perpiqet të mendojë seç farë i nevojitet Islamit në Shqipëri është ajo se cili është projekti që ne kemi apo duhet të kemi për të ardhmen tonë në këtë vend. Ne ndeshim gjithkund ide, mendime, thirrje për veprim, për bashkim, për qëndresë, për zgjim, për gjithçka. Por a ka një koherencë ndërmjet gjithë kësaj? Kam përshtypjen që jo. Mund të thuhet se orientimi ynë sot në Shqipëri nuk është gjë tjetër vetëm se produkt i një pafundësie thirrjesh të shpërndara gjithkund, pa një ide të qartë se cili është destinacioni drejt të cilit duam të mbërrijmë dhe cila rruga që duhet të ndjekim për ta arritur këtë. Për sa kohë ne nuk kemi qartësuar këtë, dhe për sa kohë nuk kemi krijuar një lloj dialogu dhe mirëkuptimi të gjerë në këtë drejtim, çdo përpjekje, çdo angazhim, çdo reagim do të ishte i mjegullt dhe në mos do të kthehej në pengesë, ai do të ishte një hap i tepërt dhe jashtë objektivit tonë. Një gjë e tillë duket në të gjitha iniciativat që janë ndërmarrë nga individë apo grupe të ndryshme prej muslimanëve, që nga shoqatat e deri edhe tek iniciativat për të ndërmarrë angazhime politike, madje edhe në iniciativat për të krijuar parti politike.

Konkretisht, një ngasje të tillë për përfshirjen e Islamit në politikë ka kohë që gudulis aspiratat e një pjese të konsideruehsme të muslimanëve në Shqipëri. Debate të tilla më janë dukur gjithmonë të tepërta dhe të kota pasi çfarë partie do të mund të hapim kur nuk kemi kurrfarë mendimi politik, kur nuk kemi alternativë për një mori pikëpyetjesh që rëndojnë mbi realitetin shqiptar, kur nuk kemi asnjë vizion të qartë së pari lidhur me orientimet kryesore që ka marrë sot shoqëria shqiptare ,etj.. Që një shoqëri të fillojë të ecë në rrugë të mbarë drejt zhvillimit dhe suksesit të saj, duhet që ajo të jetë pjekur në lidhje me atë cka duhet të arrijë. Konkretisht xhemati ynë është kthyer në një buall i cili tërhiqet prej njëqind frerësh njëkohësisht, secili për hesap të vet dhe rrjedhimisht edhe lëvizja jonë nuk është gjë tjetër vetëm se rezultantja e të gjitha forcave dhe orientimeve që ushtrohen prej tyre. Rrjedhimisht edhe zhvendosja e jonë mbetet kaotike dhe pa destinacion të qartë.

Natyrisht, është e pamundur sot të bashkosh të gjithë frerët në një drejtim për të ofruar një rrugë të vetme për të gjithë bashkësinë tonë. Nuk besoj në utopira dhe nuk kam kurrfarë iluzioni për të shpresuar në mrekulli të tilla si ato që na ofrojnë unifikime të tilla grushtbashkuar rreth partisë për të çarë bllokada superfuqishë e për të hedhur valle në gojë të ujqërve imperialistë. Të tilla mund te gjesh pa masë kudo. Duke u përpjekur të jem realist, e kam të qartë që njeriu është i tillë dhe duhet pranuar me të mirat dhe të metat e veta, aq më tepër kur flitet për shoqëri.

Zoti na ka krijuar të ndryshëm dhe s'ka mjet në botë për ti bërë njerëzit që të mendojnë njësoj. Gjithashtu e kam të qartë që nuk ka ndonjë mjet për ta eleminuar krejtësisht dobësinë njerëzore dhe jam mëse i qartë që rruga jonë do të jetë e bashkëshoqëruar nga mangësitë tona, nga problemet, nga lajthitjet e madje edhe nga injoranca, frikacakëria apo edhe keqdashja. Problemi është që duhet të arrijmë pjekurinë minimale për të eleminuar pjesën më të madhe të frerëve që, me apo pa vetëdije, orëvaten të na tërheqin në kahje të kundërt nga orientimi i drejtë, pa çka se brenda kahut të duhur mund të ketë dallime dhe kënde të ndryshme orientimi midis nesh. Problemi ynë thelbësor është se ne ende nuk kemi përcaktuar kahun e lëvizjes sonë dhe kjo e bën mjaft kaotik lëmshin e qëndimeve dhe angazhimeve tona. Por akoma edhe më keq, ka një mori prej nesh, e cila merr iniciativën për tu përfshirë në angazhime të ndryshme, pa pasur fare objektiv. Eshtë e rëndomtë sot të ndeshësh njerëz që pajtohen me veprime apo qëndrime të ndryshme, pa pasur asgjë të qartë se në ç'destinacion të nxjerrin ato, në ç'projekt bëjnë pjesë ato.

Deri tani, mund të flasim për një sërë projektesh që janë vënë në veprim në Shqipëri gjatë këtyre 18 vjetëve. Projekti selefi, ihuan, nurxhi, tablig, etj., përbën spektrin kryesor dhe më të dukshëm në vija të trasha, pa kaluar në nënrrymat që fragmentarizojnë më tej jetën fetare të xhematit. Gjithsesi, ajo që kam parë tek të gjithë, është se askush prej tyre nuk ka asnjë ide konkrete mbi rrugët nëpërmjet të cilave duhet të veprojë për të ardhmen e Islamit në vend dhe askush prej pjesëtarëve të tyre nuk ka asnjë platformë të qartë në lidhje me punën që duhet të bëjë për të sjellë një të ardhme më të mirë për muslimanët. Nuk dua ti hyj tani hollësive për ti marrë një e nga një e për të treguar se përse këto projekte janë të dështuar, por ka një arsye kryesore të përbashkët se përse ata janë të tillë. Eshtë fare e thjeshtë. Ata janë të tillë sepse të gjithë këta projekte janë të huaj për realitetin shqiptar dhe se janë importuar verbërisht në Shqipëri, pa pasur asnjë lidhje me nevojat reale që kemi këtu. Ata i përkasin realiteteve të huaja nga realiteti ynë dhe për më tepër, në vija të përgjithshme kanë qenë të dështuar edhe në vetë realitetet ku kanë lindur.

Këto rryma kanë lindur në realitete të caktuar dhe janë strukturuar në mënyrë të atillë për të luftuar fenomene të ndryshme specifike të atyre realiteteve. Selefizmi për të ruajtur akiden në kushtet e përhapjes së shirkut në gadishullin arabik, ihuanizmi për të ngjallur aktivizmin social dhe politik të Islamit në botën arabe, sufizmi për të ruajtur zemrën dhe për të kultivuar spiritualitetin në kushtet kur feja shfrytëzohej politikisht, nurxhizmi për të mbijetuar në një terren krejtësisht antifetar si Turqia e Ata Turkut, Tabligët për të përhapur daven në një realitet kur njerëzit i janë larguar fesë së Zotit ... Të gjitha këto janë pjellë e realiteteve provizore të vendeve ku kanë lindur dhe për më tepër janë larg nevojave dhe sfidave me të cilat ndeshet Islami në Shqipëri. Nuk i përkas asnjërës prej këtyre rrymave dhe nuk më interesojnë ato, ndonëse, natyrisht kam opinionet e mija për cështje që ato i shtrojnë për diskutim. Por ajo që më intereson mbi të gjitha dhe që duhet të kthehet në qëndër të vëmendjes së të gjithëve është mbijetesa e Islamit në këtë vend. Kjo nuk do të thotë se nuk pranoj bashkëpunim me askënd që i përket botkuptimeve të tilla. Por kjo do të thotë që zhvillimi duhet të fillojë duke u ngritur përmbi këtë realitet dhe mentalitet sektarist për të kuptuar disa nevoja të tjera, më thelbësore dhe më të qenësishme që kanë të bëjnë me ekzistencën tonë.


Sfidat e reja

Duhet të kuptojmë që shoqëria shqiptare nuk qëndron në vend. Ajo zhvillohet dita-ditës dhe fiton orientime të reja, të cilat fatkeqësisht janë krejtësisht me kahje të kundërt nga ato që ofrojmë ne. Pikërisht kjo ka bërë që sot muslimanët të jenë në një situatë mjaft kritike, duke u përballur me një kërcënim mjaft serioz, që ka të bëjë jo thjesht me disa të drejta që i mohohen aty-këtu, por me ekzistencën e tyre. Sot, shoqëria shqiptare është fare pranë deislamizimit total të saj, ku ne rrezikohet të mbetemi një minorancë e papërfillshme dhe e përbuzur, e izoluar në një kënd përherë e më të ngushtë të shoqërisë. Ajo që duket se nuk po kuptojmë, është se sot, 18 vjet pas hapjes së fesë, po hyjmë gradualisht në një fazë të re në raportet që shoqëria shqiptare ka me Islamin. Po të vërejmë me kujdes, do të shohim që sot ka një vëmendje shumë herë më të madhe nga opinioni publik për Islamin.

Ka një mori librash të përkthyer nga orientalistë dhe autorë të ndryshëm perëndimorë për Islamin, ka një hapësirë gjithnjë e më të madhe të medias ndaj problemeve tona, ka një vëmendje përherë e më të madhe të institucioneve dhe organizmave publike dhe jopublike, vendase dhe të huaja për problemet që lidhen me Islamin në vend. Kjo ka bërë që ne të vihemi rrjedhimisht më tepër në vëmendjen e opinionit publik, gjë që krijon një përgjegjësi të jashtëzakonshme, dhe në qoftë se ne sillemi në mënyrë të papjekur kjo do të ishte vrastare për të ardhmen tonë. Në qoftë se marrëzirat dhe problemet tona, deri dje ndodhnin larg syve të botës, në hapësirat dhe ishujt tanë të krijuara në mjediset e xhamive apo në zyrat e OJQ-ve, krejtësisht jashtë vëmendjes së një opinioni më të gjerë se njerëzit tanë të afërm, sot objektivat e kamerave, mikrofonët e gazetarëve janë gjithnjë e më të pranishëm në mjediset tona.

Në këtë mënyrë hapësira mediatike na kushton gjithnjë e më shumë vend dhe debati publik është gjithmonë e më i interesuar për problemet që lidhen me muslimanët në vend, gjë që nuk na e lejon dot luksin të sillemi me të njëjtën mungesë përgjegjshmërie dhe shkujdesjeje si përgjatë këtyre 18 vjetëve. Ky lloj gafleti tashmë është i pafalshëm dhe nuk mund të vazhdojë më. Një përgjegjësi e tillë kërkon prej nesh të gjejmë mjetet e duhura për t'iu përgjigjur këtyre rrethanave të reja dhe kritike, nëse nuk duam që vëmendja publike të zbulojë tek ne gjithçka që do ta largonte shoqërinë shqiptare prej fesë së Allahut. Mendoj se kemi hyrë në një moment deciziv për të vendosur nëse do të lejojmë apo jo kryhet divorci i shoqërisë shqiptare prej Islamit, dhe kjo na ngarkon me një peshë shumë të rëndë. Nëse nuk bëhet ky shqetësimi ynë primar, nëse nuk ndërgjegjësohemi për sfidat që na kanë trokitur në derë, nëse nuk kthjellohemi për realitetin tonë dhe vështirësitë që ai shtron përpara, kam frikë se do të ngarkohemi të gjithë me peshën e dështimit.


Piketa për orientimet e nevojshme

Në këtë mënyrë pra, sfidat tona nuk kanë të bëjnë absolutisht me atë për të cilën ndahen selefitë nga ihuanët, modelet arabe nga ato turke. Përkundrazi, sfidat tona kanë të bëjnë me ekzistencën tonë, me suksesin apo dështimin, me faktorizimin apo defaktorizimin, me aftësinë për ti ofruar shoqërisë shqiptare një alternativë serioze, për të qenë pjesë e zhvillimeve në vend. Problemi është tek modelet që ne ofrojmë, sa të pranueshme, sa të kapërdishme, sa të përshtatshme, sa të kuptueshme, sa të frytshme, sa njerëzore, sa të adaptueshme, sa të peshuara, sa serioze janë ato në realitetin ku jetojmë. Cilat janë alternativat që ne u ofrojmë shqiptarëve, cfarë modelesh sjellim ne në shoqëri, pse jemi të nevojshëm për këtë shoqëri. Problemi qëndron se si do ta krijojmë ne komunikimin tonë me këtë shoqëri. Prej këtej do të rrjedhë edhe suksesi apo dështimi ynë.

Për të krijuar orientimet e duhura, është e nevojshme të gjejmë pikë së pari premisat e duhura prej nga do të mund të ndërtohet një vizion më i qartë për ta çuar shoqërinë muslimane drejt zhvillimit. Për këtë arsye, mbërthimi i mendimit të muslimanëve në debatet midis rrymave të ndryshme fetare të përhapura në Shqipëri gjatë këtyre 18 vjetëve krijon shterpësi në këtë drejtim. Kjo vjen sepse premisat mbi të cilat nisen modelet e ofruara prej tyre nuk kanë lidhje me ato që ofron realiteti ku ne jetojmë çdo ditë. Kjo krijon edhe nevojën për tu ngritur mbi këtë debat duke i parashtruar vetes problematikën reale me të cilën ndeshet feja në këtë vend. Kjo do të shërbente njëkohësisht edhe si mjeti kryesor për të lënë mënjanë divergjencat e kota dhe shterpe të cilat pasurojnë jetën "politike" të xhematit me një problematikë krejtësisht fiktive dhe pa vlerë.

Aktualisht askush prej tyre nuk ofron asnjë projekt të qartë për të ardhmen e Islamit në Shqipëri, gjë që do të thotë se çdo lëvizje dhe përpjekje si dhe çdo angazhim që bëhet prej tyre ka vetëm vlera momentale dhe të rastësishme. Problemi është të krijojmë një projekt më të gjerë për Islamin në Shqipëri, i cili të vërë në qendër të objektivave të tij faktorizimin e Islamit. Kjo do të thotë se është e domosdoshme që në qendër të shqetësimeve tona të përbashkëta të jetë krijimi i modeleve shoqërore dhe publike të Islamit. Deri tani, modelet e krijuara në mjediset xhematore kanë qenë modele ngushtësisht fetare, të cilat nuk kanë prodhuar dot realitet përtej mjediseve ku janë kultivuar. Ato nuk kanë mundur të ofrojnë dot një ligjërim publik të Islamit. Kohëve të fundit, ka pasur tendenca që ligjërimi i kësaj kategorie, i rezervuar deri më tani vetëm për "konsum të brendshëm" të synojë ti ofrohet një publiku më të gjerë me anë të mjeteve vizive të komunikimit masiv. Por, problemi në këto raste është se individët që e kanë marrë përsipër këtë rol, nuk shfaqin aftësinë e duhur për ta përmbushur këtë detyrë. Duke qenë të kultivuar në mjedise të huaja nga ato të shoqërisë shqiptare, misioni i tyre për të ofruar një imazh publik efektiv bëhet një mision imposibile, gjë që mbetet i destinuar të mos sjell efekte pozitive.

Të krijosh një model publik të Islamit përbën një ndërmarrje mjaft të vështirë, e cila, përvec se maturi dhe pjekuri, kërkon një nivel të lartë zhvillimi intelektual si dhe një nivel të kënaqshëm komunikimi me shoqërinë jashtë mjediseve muslimane, gjë që duhet të shoqërohet gjithashtu me një njohje mjaft të mirë të realitetit ku jetojmë. Të gjitha këto na mungojnë dhe kjo e vështirëson skajshmërisht përpjekjen tonë. Por gjithsesi, kjo nuk është e pamundur, nëse të paktën tregohemi mendjehapur dhe përpiqemi të thyejmë në mendjen tonë të gjitha skemat që na mbajnë të mbërthyer në realitetet fiktive që kemi ngritur dhe që na distancojnë nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Pikërisht kjo ndërmarrje fillon me thyerjen e tabuve, paragjykimeve, armiqësisë të kultivuar jopak tek ne ndaj shoqërisë shqiptare në tërësi. Përkundër kësaj, rikthimi nën shembullin profetik në parimet fetare të mëshirës dhe dashurisë që shoqërojnë muslimanin në raportet e tij me njerëzit do të jetë suporti më i rëndësishëm për të krijuar hapjen e nevojshme me shoqërinë. Duhet thënë se izolimi kulturor dhe shoqëror është armiku ynë kryesor dhe puna më e bekuar që mund dhe duhet të bëjmë domosdoshmërisht sot është ngritja thyerja e këtij izolimi, për të shembur të gjitha muret që hermetizojnë mjediset tona nga realiteti ku na duhet të jetojmë dhe në të cilin Allahu na ka vendosur si shembull dhe udhëzues. Kjo është sfida jonë kryesore dhe nëse nuk e zgjidhim dot këtë me veten tonë, është e kotë të kërkokjmë sukses jashtë nesh. Çdo sukses fillon nga përmirësimi i shoqërisë sonë. Por për këtë, pikë së pari duhet të kërkojmë brenda nesh individët më të aftë, më të kulturuar, më të ditur dhe më mendjehapur për t'iu referuar në rrugën tonë drejt zhvillimit.



Autor: E. Mertiri, shkurt 2009.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...