Kosova, 'shtrati i butë' i vehabistëve?!



Në Kosovë ata kanë gjetur një shtrat të butë, do të thoja, edhe nga që për shumë kohë këtu kanë ndodhur dy fenomene të veçanta: nga njëra anë, Shërbimi Informativ i Kosovës është ngritur me shumë vonesë, ai nuk ka pasur as kohën e duhur dhe as njerëzit e duhur për të ngritur sistemin e tij efikas. Shuarja e Shërbimit Informativ të Kosovës, të drejtuar nga Kadri Veseli, shërbim i cili u paragjykua pa i parë vlerat e tij dhe heshtja ndaj këtij paragjykimi nga shërbimet e tjera të cilat deri asaj dite e kishin pasur partner, krijoi një vakum të jashtëzakonshëm, që i la hapësirë rritjes së lëvizjes vehabiste. Jo rastësisht rritja e këtij sekti ekstrem daton pas shuarjes së Shërbimit Informativ të Kosovës, dhe periudha deri në ngritjen e një sistemi shtetëror, që ishte në fakt një periudhë heshtje, lejoi krijimin e strukturave të rritura t lëvizjes selafiste e vehabiste.

Nga ana tjetër, në Kosovë, kjo është e ditur, ka pasur disa shërbimeve informative të shteteve të huaja. Disa të njohura e shumë të panjohura, të cilat e kanë ndjekur këtë lëvizje, por më së shumti në raport me vendet e tyre. Kjo ka sjellë fragmentarizmin e optikës së rritjes së kësaj lëvizje, ka sjellë copëza, por jo të tërën. Është fakt se, duke e krahasuar me të përgjithshmen, lëvizja salafiste vehabiste në Kosovë, nuk ka primatin në besimin islam. Por, është po ashtu se ajo, nga njëra periudhë në tjetrën, ka rritjen e saj. Tani ajo ka dalë nga zonat rurale dhe po shtrihet edhe në qytete, dhe në disa raste nuk dihet më se kush e drejton bashkësinë Islame të Kosovës, të zgjedhurit, me ndjenja të zakonshme e ritme normale të besimit apo radikalë të pazgjedhur por që ushtrojnë ndikimin e tyre. Në mendimin e shumë njerëzve, as ngjarjeve të pazakonta, ndjehet dyzimi në se kryetar i kësaj bashkësie është Naim Tërnava apo Shefqet Krasniqi, imami i xhamisë së madhe në Prishtinë.

Dualizmi ka shkuar edhe më tej, nëse në disa qendra të besimit islam, xhami apo të tjera, mendimi i njohur islam, i traditës sonë liberale, është i pranueshëm, në disa të tjera ai po përpiqet të zbohet, në mos me të mirë, përmes lutjeve, atëherë përmes dajakut. Në Kosovë, pas luftës, përmes fondeve humanitare të vendeve arabe, ndoshta më shumë janë ndërtuar xhami se sa shkolla të reja. Fillimisht kjo ishte një praktikë e mirëpritur, sepse të gjitha vendet fetare ishin djegur nga ushtria dhe policia serbe. Fakti se pas këtyre ndërtimeve erdhën edhe emisarët radikalë dëshmon se gjithçka kishte qenë një parapërgatitje që lëvizja salafiste të ketë një avangardë të saj në shtetet ballkanike, krahas asaj në Bosnjë, ku tani janë të njohur mbi 90 mijë vehabistë dhe salafistë dhe ku mbi 20 për qind e pjesës tjetër të popullsisë besojnë në këtë lëvizje pa qenë pjesë e saj. Kosova, por edhe shteti shqiptar, nuk është në këtë përpjesëtim, por proporcioni po ndryshon përditë nga pak.

Demonstrimet që janë zhvilluar disa herë në Kosovë, por edhe në Shqipëri, tregon se ka një rritje të agresivitetit të kësaj rryme fetare, e cila herë pas here në Kosovë, merr edhe ngjyrime politike, pr pikërisht ky agresivitet dhe pandëshkueshmëria e tij, kanë pasur jehonë tek njerëzit, më shumë se dhjetëra ligjërata nëpër xhami e medrese. Duke qenë një popull që përgjithësisht besojmë tek forca, si pjesë e zgjidhjes së problemeve, shumë të rinj, qoftë edhe pa dashur, agresivitetin e lëvizjes vehabiste e shohin si dëshmi e forcës së tyre dhe e pafuqisë së shtetit për të vendosur rregullat e tij. Kjo është njëra nga shtysat më të ndjeshme ndaj saj, dhe, le të mos e gënjejmë veten: është një fenomen i ri, i cili po shfaqet tek ne, dhe , i cili, nëse lejohet të ketë këtë proporcion rritje, mund të jetë njëra nga dështimet tona, të politikës, të jetës së përbashkët dhe të bashkëjetesës.



Autor: Ramiz LLADROVCI, prill 2014.



_________________________

Shkëputur nga Artikulli: "Vehabistët shqiptarë - nga 'hipnotizimi nga përsëritja'".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...